Rreth Nesh
Historiku i IEKA-s
Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) është organizata profesionale e audituesve ligjorë në Republikën e Shqipërisë. I themeluar më 24 nëntor 1997, Instituti ka luajtur një rol kyç në zhvillimin dhe konsolidimin e profesionit të auditimit ligjor në vend, duke promovuar standarde të larta profesionale dhe etike, edukimin profesional të audituesve ligjorë dhe mbrojtjen e interesit publik.
Që nga krijimi i tij, IEKA ka kontribuar në zhvillimin e kuadrit rregullator të profesionit, përkthimin dhe publikimin e standardeve ndërkombëtare, forcimin e kapaciteteve profesionale të anëtarëve dhe përfaqësimin e profesionit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Instituti ndër vite
1994 – sot1994
Vendosen bazat e profesionit të auditimit ligjor në Shqipëri, me fillimin e auditimit të jashtëm të pasqyrave financiare dhe krijimin e figurës së parë të ekspertit kontabël.
1995
Miratohet Urdhëresa nr. 1 e Këshillit të Ministrave, e cila krijon bazën e parë ligjore për organizimin e profesionit, përcakton kriteret e hyrjes në profesion, praktikën profesionale, provimet dhe rregullat fillestare të etikës dhe auditimit.
1997
Më 24 nëntor 1997 themelohet Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) si organizata profesionale e audituesve ligjorë në Shqipëri. Në të njëjtën ditë zhvillohet Asambleja e parë e Përgjithshme dhe zgjidhet Këshilli i parë Drejtues.
1998–2000
Me mbështetjen e programeve të asistencës teknike të Bashkimit Evropian (PHARE), IEKA konsolidon strukturat organizative, zhvillon programet e para të trajnimit profesional dhe harton procedurat e para të auditimit.
2003
IEKA përkthen dhe publikon për herë të parë në gjuhën shqipe Standardet Ndërkombëtare të Auditimit (ISA), duke shënuar një hap të rëndësishëm në harmonizimin e praktikës së auditimit në Shqipëri me standardet ndërkombëtare.
2008
IEKA bëhet anëtare me të drejta të plota e Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve (IFAC), duke u angazhuar për zbatimin e Deklaratave të Detyrimeve të Anëtarësisë (SMOs) dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.
2009
Miratohet Ligji nr. 10091/2009, i cili rregullon për herë të parë në nivel ligjor profesionin e audituesit ligjor, organizimin e IEKA-s dhe auditimin ligjor në Shqipëri.
2016
Miratohet Ligji nr. 46/2016 «Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe kontabilistit të miratuar», duke harmonizuar kuadrin shqiptar me Direktivën Evropiane për Auditimin Ligjor dhe duke forcuar sistemin e mbikëqyrjes publike të profesionit.
2024
Kuadri ligjor i profesionit u përditësua me ndryshimet më të fundit në legjislacionin për auditimin ligjor, duke reflektuar zhvillimet e reja të profesionit dhe vijuar procesin e përafrimit me acquis të Bashkimit Evropian.
Sot, IEKA është organizata profesionale që përfaqëson audituesit ligjorë në Shqipëri dhe ushtron funksionet e saj në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare. Instituti kontribuon në zhvillimin e profesionit nëpërmjet edukimit profesional fillestar dhe të vijueshëm, mbështetjes së zbatimit të standardeve profesionale dhe etike, promovimit të cilësisë në auditim dhe bashkëpunimit aktiv me institucionet kombëtare dhe organizatat ndërkombëtare të profesionit.
Kryetarët e Këshillit Drejtues ndër vite
| Kryetar | Periudha | Mandati |
|---|---|---|
| Baki Berberi | 24.11.1997 – 23.06.2006 | 3 mandate |
| Romeo Mitri | 02.05.2006 – 23.06.2006 | mandat pjesor |
| Diana Ylli | 23.06.2006 – 28.09.2012 | 2 mandate |
| Hysen Çela | 28.09.2012 – 30.09.2019 | 2 mandate |
| Eleonora Olli | 01.10.2019 – 16.09.2020 | mandat pjesor |
| Berti Pashko | 08.09.2020 – 15.10.2021 | mandat pjesor |
| Berti Pashko | 15.10.2021 – 15.10.2025 | mandat i plotë |