IEKA

Rreth Nesh

Historiku i IEKA-s

Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) është organizata profesionale e audituesve ligjorë në Republikën e Shqipërisë. I themeluar më 24 nëntor 1997, Instituti ka luajtur një rol kyç në zhvillimin dhe konsolidimin e profesionit të auditimit ligjor në vend, duke promovuar standarde të larta profesionale dhe etike, edukimin profesional të audituesve ligjorë dhe mbrojtjen e interesit publik.

Që nga krijimi i tij, IEKA ka kontribuar në zhvillimin e kuadrit rregullator të profesionit, përkthimin dhe publikimin e standardeve ndërkombëtare, forcimin e kapaciteteve profesionale të anëtarëve dhe përfaqësimin e profesionit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Baki Berberi
Themelimi i Institutit, 24 nëntor 1997

Instituti ndër vite

1994 – sot

1994

Fillimet e profesionit

Vendosen bazat e profesionit të auditimit ligjor në Shqipëri, me fillimin e auditimit të jashtëm të pasqyrave financiare dhe krijimin e figurës së parë të ekspertit kontabël.

1995

Kuadri i parë rregullator

Miratohet Urdhëresa nr. 1 e Këshillit të Ministrave, e cila krijon bazën e parë ligjore për organizimin e profesionit, përcakton kriteret e hyrjes në profesion, praktikën profesionale, provimet dhe rregullat fillestare të etikës dhe auditimit.

1997

Krijimi i IEKA-s

Më 24 nëntor 1997 themelohet Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) si organizata profesionale e audituesve ligjorë në Shqipëri. Në të njëjtën ditë zhvillohet Asambleja e parë e Përgjithshme dhe zgjidhet Këshilli i parë Drejtues.

1998–2000

Konsolidimi institucional

Me mbështetjen e programeve të asistencës teknike të Bashkimit Evropian (PHARE), IEKA konsolidon strukturat organizative, zhvillon programet e para të trajnimit profesional dhe harton procedurat e para të auditimit.

2003

Standardet Ndërkombëtare të Auditimit

IEKA përkthen dhe publikon për herë të parë në gjuhën shqipe Standardet Ndërkombëtare të Auditimit (ISA), duke shënuar një hap të rëndësishëm në harmonizimin e praktikës së auditimit në Shqipëri me standardet ndërkombëtare.

2008

Anëtarësimi në IFAC

IEKA bëhet anëtare me të drejta të plota e Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve (IFAC), duke u angazhuar për zbatimin e Deklaratave të Detyrimeve të Anëtarësisë (SMOs) dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.

2009

Rregullimi ligjor i profesionit

Miratohet Ligji nr. 10091/2009, i cili rregullon për herë të parë në nivel ligjor profesionin e audituesit ligjor, organizimin e IEKA-s dhe auditimin ligjor në Shqipëri.

2016

Përafrimi me legjislacionin e Bashkimit Evropian

Miratohet Ligji nr. 46/2016 «Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe kontabilistit të miratuar», duke harmonizuar kuadrin shqiptar me Direktivën Evropiane për Auditimin Ligjor dhe duke forcuar sistemin e mbikëqyrjes publike të profesionit.

2024

Përditësimi i kuadrit ligjor

Kuadri ligjor i profesionit u përditësua me ndryshimet më të fundit në legjislacionin për auditimin ligjor, duke reflektuar zhvillimet e reja të profesionit dhe vijuar procesin e përafrimit me acquis të Bashkimit Evropian.

Sot
IEKA sot

Sot, IEKA është organizata profesionale që përfaqëson audituesit ligjorë në Shqipëri dhe ushtron funksionet e saj në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare. Instituti kontribuon në zhvillimin e profesionit nëpërmjet edukimit profesional fillestar dhe të vijueshëm, mbështetjes së zbatimit të standardeve profesionale dhe etike, promovimit të cilësisë në auditim dhe bashkëpunimit aktiv me institucionet kombëtare dhe organizatat ndërkombëtare të profesionit.

IEKA në shifra
263Auditues Ligjorë — të regjistruar
78Shoqëri auditimi
56Audituesit e parë — në vitin 1997
2008Anëtare në IFAC — me të drejta të plota

Kryetarët e Këshillit Drejtues ndër vite

KryetarPeriudhaMandati
Baki Berberi24.11.1997 – 23.06.20063 mandate
Romeo Mitri02.05.2006 – 23.06.2006mandat pjesor
Diana Ylli23.06.2006 – 28.09.20122 mandate
Hysen Çela28.09.2012 – 30.09.20192 mandate
Eleonora Olli01.10.2019 – 16.09.2020mandat pjesor
Berti Pashko08.09.2020 – 15.10.2021mandat pjesor
Berti Pashko15.10.2021 – 15.10.2025mandat i plotë