Asamblenë e Përgjithshme e FCM dhe Ceremonia e 25-Vjetorit të Themelimit në Paris, 27 Maj 2024.
Kryetari i IEKA-s, Z. Berti Pashko, përfaqësoi Institutin e Ekspertëve Kontabël të Autorizuar në Mbledhjen e Përgjithshme të Asamblesë së Federatës Mesdhetare të Kontabilistëve (FCM), e cila i zhvilloi punimet e saj në Paris, Francë. Ky takim shërbeu për të diskutuar mbi ecurinë e projekteve të përbashkëta rajonale dhe koordinimin e strategjive për zhvillimin e profesionit të kontabilitetit dhe auditimit në vendet e rajonit të Mesdheut.

Në kuadër të këtij takimi të nivelit të lartë, u organizua edhe ceremonia festive me rastin e 25-vjetorit të themelimit të FCM-së. Ky përvjetor jubilar bëri bashkë:
- Anëtarët e FCM-së: Përfaqësues dhe drejtues të lartë të instituteve homologe nga i gjithë rajoni mesdhetar.
- Organizatat Ndërkombëtare: Liderë dhe përfaqësues nga organizata të tjera prestigjoze globale në fushën e kontabilitetit, auditimit dhe financave.
Pjesëmarrja e IEKA-s në këtë asamble rikonfirmon rolin aktiv të Institutit në arenën ndërkombëtare dhe angazhimin e palundur për të forcuar bashkëpunimin me partnerët mesdhetarë, duke ndarë përvoja dhe duke kontribuar në rritjen e standardeve profesionale.