IEKA

Kandidatët · Edukimi profesional

Programi i Edukimit Profesional

Programi i Edukimit Profesional është pjesë përbërëse e procesit të kualifikimit për fitimin e titullit Auditues Ligjor dhe zhvillohet nga Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) gjatë periudhës së praktikës profesionale. Programi është hartuar në përputhje me kërkesat e Ligjit nr. 10091, datë 5.3.2009, të ndryshuar, Standardeve Ndërkombëtare të Edukimit (IES) dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.

3 viteKohëzgjatja
9Module profesionale
PostmasterForma e programit
KPAPProvimet në përfundim

Programi Postmaster

Programi realizohet në formën e një programi profesional postmaster, me kohëzgjatje normale 3 vite kalendarike, dhe zhvillohet paralelisht me praktikën profesionale. Gjatë kësaj periudhe kandidatët ndjekin modulet profesionale, marrin pjesë në leksione, seminare, diskutime mbi raste praktike dhe testime, duke ndërthurur përgatitjen teorike me përvojën praktike në auditim.

Programi është rishikuar dhe përditësuar me qëllim përafrimin me standardet bashkëkohore të profesionit dhe strukturën e kualifikimeve ndërkombëtare, duke forcuar kompetencat profesionale të kandidatëve në fushën e raportimit financiar, auditimit, financës, legjislacionit dhe etikës profesionale.

Objektivat e programit

Programi synon që kandidatët:

01të zhvillojnë kompetencat profesionale për zbatimin praktik të standardeve të kontabilitetit, auditimit dhe etikës;
02të përvetësojnë njohuri të avancuara në fushën e raportimit financiar, financës, legjislacionit dhe auditimit;
03të lidhin përgatitjen teorike me praktikën profesionale;
04të zhvillojnë aftësitë analitike, profesionale dhe etike të nevojshme për ushtrimin e profesionit në shërbim të interesit publik.

Organizimi i programit

Programi organizohet në module profesionale të zhvilluara përgjatë tre viteve të praktikës profesionale. Mësimdhënia realizohet nëpërmjet:

leksioneveseminarevediskutimeve mbi raste praktikeanalizës së rasteve studimoretestimeve

Materialet mësimore për çdo modul, planprogramet dhe literatura përkatëse u vihen në dispozicion kandidatëve në fillim të çdo viti akademik.

Frekuentimi dhe vlerësimi

Frekuentimi i programit është i detyrueshëm. Kandidatët duhet të përmbushin kërkesat e frekuentimit dhe të vlerësimit për secilin modul, sipas rregullores së IEKA-s, për të vijuar programin dhe për të fituar të drejtën e pjesëmarrjes në testimet përkatëse.

Përfundimi i programit

Përfundimi me sukses i Programit të Edukimit Profesional, së bashku me përmbushjen e kërkesave të praktikës profesionale, i jep kandidatit të drejtën të regjistrohet për Provimet e Kualifikimit Profesional, të organizuara nga Komisioni i Provimeve të Aftësive Profesionale (KPAP), për fitimin e titullit Auditues Ligjor.