Takim konsultativ me Agjencinë e Inteligjencës Financiare (AIF), Tiranë, 18 Qershor 2026.
Më 18 qershor, pranë ambienteve të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA), u zhvillua një takim konsultativ me përfaqësues të AIF-së dhe përfaqësues të IEKA-s, në kuadër të procesit të konsultimit publik të projektligjit të ri “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.

Takimi u organizua me qëllim prezantimin dhe diskutimin e ndryshimeve të propozuara në kuadër të projektligjit të ri, si dhe marrjen e mendimeve, komenteve dhe sugjerimeve nga profesionistët e fushës së ekspertizës kontabël.
Gjatë takimit u diskutuan çështje me interes për profesionin e ekspertit kontabël, veçanërisht lidhur me detyrimet, përgjegjësitë dhe kërkesat që burojnë nga kuadri i ri ligjor për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Përfaqësuesit e IEKA-s dhe anëtarët pjesëmarrës patën mundësi të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre, si dhe të adresojnë çështje praktike që mund të lindin gjatë zbatimit të kërkesave të reja ligjore.
Takimi shërbeu gjithashtu si një mundësi për të diskutuar nevojën për një bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet AIF-së dhe IEKA-s, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe forcimin e rolit të profesionistëve të fushës në zbatimin efektiv të kuadrit ligjor për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Në përfundim, u vlerësua rëndësia e vijimit të konsultimit dhe komunikimit ndërinstitucional, si dhe e përfshirjes së profesionistëve të fushës në procesin e konsultimit publik, në mënyrë që komentet dhe propozimet e tyre të merren në konsideratë gjatë finalizimit të projektligjit të ri.