IEKA
Kthehu te Aktivitete dhe Evente
Evente

Takimi Konsultativ me Anëtarësinë mbi Draft-Statutin e Ri të IEKA-s, Tiranë, 17 gusht 2026.

Në vijim të ftesës së hapur drejtuar anëtarësisë, më 17 gusht 2026, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) zhvilloi një takim konsultativ për diskutimin e projekt-Statutit të ri të Institutit, i cili pritet t’i paraqitet Asamblesë së Përgjithshme për miratim gjatë muajit shtator.

Takimi Konsultativ me Anëtarësinë mbi Draft-Statutin e Ri të IEKA-s, Tiranë, 17 gusht 2026
Takimi Konsultativ me Anëtarësinë mbi Draft-Statutin e Ri të IEKA-s, Tiranë, 17 gusht 2026

Rishikimi i Statutit synon përshtatjen e kuadrit të brendshëm të IEKA-s me zhvillimet e profesionit dhe nevojat aktuale të Institutit, forcimin e mirëqeverisjes, transparencës dhe vetërregullimit, si dhe krijimin e mekanizmave më të qartë dhe funksionalë për organizimin dhe vendimmarrjen institucionale.

Gjatë takimit, Kryetari i IEKA-s prezantoi ndryshimet e propozuara në projekt-Statut, përfshirë ato të reflektuara në vijim të komenteve të paraqitura me shkrim nga anëtarët gjatë procesit të konsultimit. Prezantimi u zhvillua duke evidentuar ndryshimet kryesore dhe arsyetimin përkatës.

Takimi vijoi me diskutim të hapur me anëtarët, gjatë të cilit u trajtuan, ndër të tjera:

  • zgjerimi dhe përcaktimi më i qartë i kategorive të anëtarësisë;
  • rregullat për thirrjen, njoftimin dhe zhvillimin e Asamblesë së Përgjithshme;
  • kriteret dhe procedurat për kandidimin në organet e zgjedhura të IEKA-s;
  • forcimi i pavarësisë dhe rolit të Komitetit të Kontrollit të Brendshëm (KKB);
  • strukturat dhe mekanizmat e rinj të parashikuar në projekt-Statut;
  • sfidat aktuale të profesionit dhe zhvillimet e tregut të auditimit.

Takimi konsultativ përbën një pjesë të rëndësishme të procesit të rishikimit të Statutit, duke mundësuar që anëtarësia të kontribuojë drejtpërdrejt në diskutimin dhe përmirësimin e dokumentit përpara paraqitjes së tij për miratim në Asamblenë e Përgjithshme.

Komentet dhe sugjerimet e paraqitura gjatë procesit të konsultimit janë shqyrtuar në kuadër të finalizimit të projekt-Statutit, me synimin që dokumenti i ri të krijojë një bazë të qëndrueshme për mirëqeverisjen, funksionimin institucional dhe zhvillimin afatgjatë të IEKA-s dhe të profesionit të audituesit ligjor në Shqipëri.